Në jetëgjatësinë e një kartëmonedhe ndikojnë disa faktorë, nga të cilët veçojmë mënyrën e qarkullimit dhe trajtimin nga përdoruesit. Jetëgjatësia e një kartëmonedhe lidhet edhe me vlerën nominale të saj. Përgjithësisht, prerjet e vogla e kanë jetëgjatësinë 2-3 vjet, prerjet e mesme 3-5 vjet, ndërsa ato të mëdha mbi 7 vjet.
Nga pikëpamja e qarkullimit, kartëmonedhat me prerje të vogël më së shumti ngelen nëpër dyqane dhe qarkullojnë disa herë deri në momentin e depozitimit në sportelet e bankave. Rikthimi i tyre në sportelet e bankave kryhet kryesisht kur kartëmonedhat zbehen apo humbasin një pjesë të cilësive të tyre. Kartëmonedhat me prerje të madhe administrohen më mirë nga përdoruesit, duke treguar më tepër kujdes në përdorim sesa tek ato me prerje të vogël. Pra, sa më e madhe vlera nominale, aq më jetëgjatë edhe kartëmonedha.
Gjatë vitit 2017, në Bankën e Shqipërisë u përpunuan rreth 109 milionë copë kartëmonedha, të cilat u kontrolluan për autenticitet dhe përshtatshmëri për riqarkullim. Nga përpunimi, rezultuan rreth 23.4 milionë copë kartëmonedha të papërshtatshme për përdorim, të cilat u tërhoqën nga qarkullimi dhe rast pas rasti u zëvendësuan me kartëmonedha të reja.
Koeficienti i qarkullimit të kartëmonedhës për vitin 2017 rezultoi në vlerën 0.85, që do të thotë se një kartëmonedhë kthehet mesatarisht më pak se një herë në vit në sportelet e Bankës së Shqipërisë. Ky koeficient është më i lartë për prerjet 500 Lekë, 1000 Lekë dhe më i vogël për prerjet 5,000 Lekë dhe 2,000 Lekë, gjë që tregon se këto të fundit kthehen më rrallë në sportelet e Bankës së Shqipërisë