Kjo rregullore parashikon detyrimet ligjore për transparencë që bankat dhe institucionet financiare jobanka kanë kundrejt klientëve të tyre, gjatë ofrimit të produkteve të ndryshme bankare dhe financiare. Së fundmi, Banka e Shqipërisë ndërmori disa ndryshime të kësaj rregulloreje, të cilat morën shtysë kryesisht nga problematikat e shfaqura në sistemin bankar lidhur me transparencën dhe synojnë rritjen e kërkesave të autoritetit mbikëqyrës ndaj bankave për mbrojtjen e konsumatorit. Këto ndryshime konsiderojnë edhe kërkesat e direktivave evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve, si përdorues të produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga bankat dhe subjektet financiare jobanka.